VLERËSIMI I ALTERNATIVAVE TË PLANIFIKIMIT HAPSINOR MBI PËRDORIMIN E TOKËS
PhD, LULJETA BUZA, FAKULTETI JURIDIK “LUARASI”, TIRANA, ALBANIA E-mail: luljetabuza@yahoo.com
ERMIRA XHUNGA, ark, urb, TIRANA, ALBANIA
E-mail: ermiraxhunga@gmail.com
HYRJE
Planifikimi hapësinor kërkon që të identifikohen zonat e tokës që kanë vlerë të madhe për ruajtjen e burimeve biotike. Meqë zhvillimi i tokës private po ecën me ritme të shpejta, po shtohet dhe interesimi për evidentimin e zonave të tilla.
SYNIMI
Megjithë përcaktimin e përparësive për mbrojtjen e habitatit ne politikat planifikuese, ka paqartësi për mënyrën sesi menaxhohen dhe zbatohen këto alternativa ne planifikimin hapësinor. Realitetet e reja kanë nevojë për një riorientim drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, dhe një riorientim i tillë mund të mbështetet vetëm mbi politika publike afat-gjata dhe një rishikim të planifikimit strategjik. Një planifikim i tillë lipset të jetë gjithëpërfshirës, konsensual, i detajuar dhe tërësor. Sot, një gjë e tillë është më se e mundur pasi vërehet një konsensus në të gjitha nivelet: komuniteteve, prodhuesve, agjencive qeveritare në drejtim të ruajtjes dhe të mirëmenaxhimit të tokës, si dhe për një respektim më të madh të proceseve dhe dinamikave të natyrës. Qëllimi këtij studimi është për të nxjerrë mësime të vlefshme për planifikimin hapësinor dhe mirëmenaxhimin e tokës. Mjedisi dhe planifikimi hapësinor i tokës varen nga faktorë shoqërorë të natyrave nga më të ndryshmet, të cilët duhet të marrin pjesë aktive në një proces gjithëpërfshirës, nga ecuria e të cilit varet dhe suksesi në këtë fushë jetike për veprimtarinë njerëzore.
METODA DHE DISKUTIMI
Zhvillimi shoqëror sot është i lidhur ngushtë me mbrojtjen e mjedisit dhe planifikimin e qëndrueshëm të hapësinor të tokës. Këto dy drejtime të zhvillimit shoqëror duhet të lidhen me rritjen e nivelit të jetës dhe uljen e pabarazisë shoqërore, të promovimit të një drejtësie në përputhje me ruajtjen e sistemit të vlerave, praktikave dhe simboleve të identitetit kombëtar, me thellimin e demokracisë, përfshirjen e njerëzve në vendimmarrje.
Përqëndrimi biorajonal në planifikim ka përparësi ndaj instrumenteve tradicionalë të zhvillimit të planifikuar, pasi ai mundëson të realizohet një strategji, që i lejon vendimmarrësit të përqëndrojë vëmendjen e tij në ato çështje që janë vendimtare për një zhvillim të qëndrueshëm duke synuar ndalimin e degradimit mjedisor e duke mbrojtur biodiversitetin përmes shfrytëzimit të kontrolluar të burimeve biologjike me programe që mbulojnë zona dhe korridore të mbrojtura, uljen e emetimit të gazrave, integrimin e komuniteteve lokale dhe çrrënjosjen e varfërisë.
STUDIMI
Zhvillim shoqëror kemi atëhere kur ndodhin ndryshime cilësore në jetën e njerëzve, gjë që dallon nga transaksione të thjeshta tregtare i të mirave dhe shërbimeve në treg. Zhvillim shoqëror kemi kur si kriter bazë për politikëbërjen merret niveli i zhvillimit shoqëror dhe rritja e vazhdueshme e tij.
Rritja ka nevojë për një etikë të brendshme zhvillimi. Mirëqënia njerëzore është më e gjërë se mirëqenia ekonomike. Pesë janë komponentët që përbëjnë çdo model të një territori të caktuar: Popullsia, organizmi, mjedisi, teknologjia dhe aspiratat shoqërore. Shoqëritë e zhvilluara dallojnë nga të tjerat për nga shkalla e homogjeneiteti shoqëror, niveli i lartë i barazisë dhe uniteti i aspiratave që bashkon anëtarët e tyre.
Zhvillimi i shpejtë dhe transformimet e pejsazhit të fondit të tokave private po kërcënon përpjekjet për ruajtjen e burimeve biotike, sepse speciet po pakësohen. Nga kjo ne kuptojmë se planifikimi i përdorimit të tokës është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e diversitetit biologjik në shkallë kombëtare.
Lipset një integrim i të kuptuarit të thelbit ekologjik të proceseve të planifikimit të tokës. Këtu ndeshemi dhe në pengesa, ku më e rëndësishmja është konflikti mes objektivave për mirëqenien e njeriut dhe nevojës për ruajtjen biotike. Planifikimi biorajonal në metodologjinë e vetë të menaxhimit ka si objektiv ngritjen e një kornize për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit me pjesëmarrjen aktive të institucioneve qeveritare, komunitetit dhe palëve të interesuara të sektorit privat. Modelet planifikuese mjedisore hapësinore mbajnë parasysh:
- burimet biotike,
- shtrirjen gjeografike,
- nivelin e shkencës, teknologjisë dhe të informacionit,
- politikat nxitëse
- administrimin, monitorimin dhe vlerësimin,
Suksesi gjatë zbatimit të një planifikimi hapësinor mjedisor varet nga
- shpejtësia e marrjes të vendimeve
- fleksibiliteti i veprimeve
- aftësia prodhuese dhe rehabilituese
Paqe sociale ka aty ku iniciativat lindin dhe realizohen nga vetë popullata, aty ku ata jetojnë dhe punojnë. Para qeverisë dhe shoqërisë kemi sfidën ku vendimmarrësit lipset të jenë transparent, gjatë procesit të debatit dhe në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm hapësinor, mjedisor, me mbrojtjen e burimeve natyrore. Shfrytëzimi i burimeve te parinovueshme duhet të bëhet në raport të drejtë me ritmin e mundësive objektive për zëvendësimin e tyre me burime alternative. Qëndrueshmëria mjedisore është e lidhur me ngarkesën e kapacitetit të ekosistemet, me aftësinë e natyrës për të përthithur dhe riparuar vetveten nga dëmtime e mundshme.
Cilat janë elementet didaktike që rrjedhin nga analizat krahasuese mbi problemet e mjedisit dhe planifikimit hapësinor mjedisor?
- Në rradhë të parë, rëndësi ka njohja dhe evidentimi i zonave me krizë ekologjike si zonat e shpyllëzuara, humbja e burimeve ujore, rënie e prodhimit bujqësor.
- Në rradhë të dytë, çdo sektor i shoqërisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në rivendosjen e drejtpeshimit mes aktorëve socialë dhe sistemeve natyrore. Kjo arrihet përmes zhvillimit të ndjenjës së përkatësisë ndaj një territori, rajoni, baseni hidrologjik, etj. Kjo con në krijimin e një solidariteti hapësinor (banorët e një baseni, rajoni, zone të pyllëzuar, liqeni, etj.), të solidaritet prodhues (prodhues dhe konsumatorë të produkteve të veçanta), dhe solidaritet epistemologjik (mes studjuesve të fushave studimore përkatëse).
- Në rradhë të tretë, përmes debatit publik, mediatik dhe atij shkencor, pra, përmes inxhinieringut shoqëror: mekanizmave gjithëpërfshirëse demokratike, dialogimit të njohurive përkatëse mes aktorëve, mjeteve efektive të komunikimit dhe konsensusit arrihet që çdo eksperiencë pozitive e arritur të përhapet duke shtuar kështu njohjen aq të domosdoshme për kapërcimin e problemeve në fushën e mjedisit.
KONKLUZIONE
Për të evidentuar treguesit e një zhvillimi të qëndrueshëm duhen mbajtur paraysh nocioni i Gjurmës Ekologjike (Ecological Imprint) dhe i Hapësirës Mjedisore (Environmental Space). Nocioni i parë i zhvilluar nga Mathis Vackernagel dhe Uilliam Rees (1996) ve në dukje faktin se duke konsumuar produkte dhe shërbime që çdo individ, komunitet, rajon, vend apo një varg vendesh ndikojnë mbi natyrën.
Humbjet në tokën bujqësore dhe rënia e prodhimtarisë së tyre e kanë burimin te dy faktorë: procesi i urbanizimit dhe degradimi (që shkaktohet kryesisht nga erozionet). Pakësimi i sipërfaqeve bujqësore ndërkohë që kemi shtim të popullsisë, e gjithë kjo përkthehet në një intensifikim të tokës së mbetur, që shoqërohet me një përdorim të tepërt të plehrave bujqësore dhe kimikateve, etj. Për të parashikuar përmirësimet e nevojshme duhen marrë parasysh prodhimtaria për hektarë e pjesëtuar kjo për GNP (prodhimin kombëtar neto) për numër hektarësh, llogaritet humbja e sipërfaqeve bujqësore për shkak të urbanizimit, humbjet në fitime për shkak të shfrytëzimit të burimeve ekzistuese.
Prandaj del e nevojshme të përllogaritet Gjurma Ekologjike, d.m.th. të matet sasia e nevojshme e zonave biologjikisht produktive, që mund të garantojnë veprimtarinë njerëzore dhe të përthithin mbetjet e tij. E thënë ndryshe, gjurma ekologjike është numri maksimal i individëve të një specie që një territor i caktuar mund të mbajë pa kompromentuar habitatin natyror apo atë të modifikuar. Koncepti i GjE mund të shtrihet edhe në vlerësime të tjera, sic janë p.sh. llogaritja e zonave biologjikisht produktive që fitohen përmes importeve dhe të të kapaciteteve mbështetëse që humbasin përmes eksporteve. Tregues tjetër i rëndësishëm është ai i Hapësirës Mjedisore i propozuar nga Insituti Vuppertal dhe Friends of Earth ka lidhje të ngushtë me nocionin e GjE. HM përkufizohet si sasia e përgjithshme e kapacitetit ekologjik të përthithjes, të energjisë, të burimeve të parinovueshme, të tokës bujqësore dhe pyjeve që mund të shfrytëzohen pa pakësuar sasitë e tyre për brezat që vijnë.
Grumbullimi, përpunimi dhe analiza e këtyre të dhënave të rëndësishme statistikore ndihmojnë për të ndërtuar një program të qëndrueshëm zhvillimi.
REFERENCA
Territorial and bioregional planning
http://www.pnuma.org/forumofministers/12-barbados/bbdt07i-BasisForPlanning.pdf
BRUNDTLAND, Gro Harlem (1987) - Our Common future: From One Earth to One World. Nueva York, Oxford University Press.
Yves Renard http://www.greenparkconsultants.org/main/documents/Renard%20CV%202008.pdf
MARTINEZ-ALLIER, Joan (1995) - “The Environment as a Luxury Good or Too Poor to Be Green?”, Ecological Economics, Amsterdam, 13(1), pp. 1-10.
No comments:
Post a Comment