Tuesday, November 9, 2010

Mbrojtja Mjedisore dhe Qëndrueshmëria Urbane

Mbrojtja Mjedisore dhe Qëndrueshmëria Urbane

Environmental Protection and Urban Responsibilities

Luljeta Buza PhD, “Luarasi” Law University, Tirana, Albania
E-mail: luljetabuza@yahoo.com

Ermira Xhunga Mrs, Tirana, Albania
E-mail:ermiraxhunga@gmail.com

Permbledhje
Ky studim studion mjedisin brenda zonave urbane në Tiranë dhe ndikimin e tij në cilësinë e jetës të parë në mardhëniet midis tyre në raport me shëndetin njerëzor dhe mirqënien e tyre. Gjatë studimit morrën pjesë 250 banorë të cilët evidentuan dhe pranuan të japin informacion sipas kërkesave të paraqitura. Studimi shqyrton perceptimet dhe opinionet e qytetarëve, të cilët janë përzgjedhur rastësisht gjatë vitit 2009. Pyetjet kishin të bënin me trajtimin e një game të gjërë të problemeve si: impakti mjedisor në banesa, infrastruktura e gjelbërt, roli i pushtetit vendor, problemet e ligjit dhe planifikimi urban. 65% e populsisë shqiptare jeton tashmë në zona urbane dhe padyshim vëndi po shkon drejt një faze të re të shtrirjes dhe rigjenerimit i cili do të ndikojë në jetën tonë për dekadat e ardhëshme. Studimi përfundon me konkuzione dhe rekomandime.
Abstract
This study examines the environment within urban ereas and the wider environmental impact of Tirana city, and consideres the relationship between the urban environment and human health and wellbeing. During the study around 250 peope submitted evidence or provided information on the request. The study deals with the perceptions and believes of the people who are selected at random during the year 2009. The questions were addressed to on certain topics namely: environmental impact of housing, green infrastructure; the role of local government and legal and planning isusues. 65% of the population already lives in urban areas and the country is going through a new phase of urban expansion and regeneration that will affect the way we live for decades to come. The study provides some recomandations and concusions as well.
Hyrje
Një nga sfidat kryesore të Shqipërisë për hyrjen në Bashkimin Evropian janë kërkesat mjedisore të BE-së, përputhja me legjislacionin ekzistues dhe me standartet e reja të saj. Për të siguruar këtë përputhje me normat e BE-së vendi ynë duhet të mobilizojë burime të mëdha financiare vendase (veçanërisht nga fondet private) dhe të huaja.
Interesimi dhe sensibilizimi për mjedisin dhe ndikimet e tij në qytetet moderne ka sjellë edhe një numër të madh lëvizjesh duke patur si qëllim kryesor përmirësimin e kushteve të jetës. Kjo tendence e re kohët e fundit u quajt “Urbanizimi i Ri”, i cili përqëndrohet në jetesën e komuniteteve duke i bërë më të popullura, me banesa, me qendra punësimi, me elementë të tjerë ndihmës si dhe me projekte të infrastrukturës urbane. Urbanistët me politikat dhe planifikimet e tyre synojnë të ndihmojnë në rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë së komunitetit për të mbrojtur mjedisin duke e bërë jetën e njerëzve më të shëndetshme, cilësore dhe më interesante. Çfarëdo që ndodh në tokë, u ndodh bijve të tokës. Njeriu s’e endi pëlhurën e jetës, ai është thjesht një fije e saj. Çfarëdo që ai bën me pëlhurën, ai ia bën vetes. (Urban Pattern 2005).
Lëvizja e qëndrueshme e komunitetit përfshin shumë veti të njëjta por cilësia e mbrojtjes së mjedisit përcaktohet si një element tepër i rëndësishëm në gjurmët ekologjike të komunitetit, i cili ndikon dukshëm në reduktimin e konsumit të energjisë, të burimeve të tjera, dhe në reduktimin e ndotjes së ujit dhe të ajrit. Përmirësimi i cilësisë së ajrit që përbën një element të rëndësishëm të cilësisë së jetës mund të realizohet vetëm nëpërmjet kontrollit të emetimeve nga burimet e lëvizshme, duke përmirësuar cilësinë e karburanteve dhe duke synuar kështu në integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e sektorëve të transportit dhe energjisë. Prioritetet kombëtare në fushën e mjedisit mbulojnë të gjitha komponentët: cilësinë e ajrit, veçanërisht ujin e pijshëm dhe trajtimin e ujrave të zeza, mbrojtjen nga erozioni dhe humbjet për shkak të ndryshimit të destinacionit; mbrojtjen e biodiversitetit ndaj gjuetisë ilegale dhe humbjes së habitatit. Megjithë përmirësimet e bëra, biodiversiteti i vendit tonë vazhdon të jetë i kërcënuar seriozisht, janë të kërcënuar gjithashtu edhe ekosistemet dhe habitati, e cili është pasojë e një mase të madhe e injorimit të ligjeve ekzistuese për përdorimin e tokës dhe burimeve natyrore. Mungesa e opsioneve të tjera për mbijetesë ka bërë që mjaft banorë që jetojnë në fshat të shfrytëzojnë pa kriter burimet natyrore të zonave të tyre dhe për të parandaluar këto ndikime mungon një sistem efektiv i planifikimit hapësinor që do të udhëhiqte zhvillimin dhe vlerësimin e impaktit të tij mbi mjedisin natyror.
Edhe në vende të tjera të BE-së ka probleme me zhvillime urbane të pa kontrolluara. “Vetëm një brez më parë, shumica e Evropës ishte ekologjike, duke përdorur me pak burime natyrore sesa dispononte”, është shprehur Tony Long . “Por sot, Evropa jeton përtej mundësive të saj. Nëse qytetarët e botës do të jetonin si evropianët; do të na duheshin 2.6 planete për të siguruar të gjitha burimet e nevojshme dhe për të thithur mbetjet e prodhuara.” Parlamenti evropian ka dënuar disa autoritete rajonale dhe lokale në disa vende anëtare për “përhapje” të praktikave jo të qëndrueshme për zhvillimin urban mjedisor. Në një rezolutë të miratuar pas një misioni vëzhgimi, parlamentarët evropiane kritikojnë “Projektet Masive të Urbanizimit të cilat nuk kanë patur lidhje direkte me kërkesat” e komuniteteve lokale. Parlamenti dënon miratimin e autoriteteve në lidhje me zhvillimet ilegale dhe paralajmëron Komisionin Evropian që “t’i kushtojë vëmendje të veçantë rasteve të dokumentuara në lidhje me shkeljet e direktivave për çështjet mjedisore, të ujit dhe politikave të konsumit të tij”.
Disa nga instrumentet për stimulimin e zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me mjedisin janë instrumenta ekonomik të vlerësimit të impaktit mjedisor. Por nuk duhen lënë pa e theksuar rëndësinë që kanë elementët e tjerë si informacioni dhe sensibilizimi mjedisor si elementë tepër të rëndësishëm parandalues të ndotjeve urbane. Sfidat me të cilat përballet vendi ynë në fushën e mjedisit kërkon forcimin e rolit të publikut dhe të shoqërisë civile; përfshirjen aktive të pushteti vendor në problemet e mjedisit, rritjen e përgjegjësive ligjore, përgatitjen dhe publikimin e informacioneve për publikun dhe palët e interesuara, edukimin në shkolla për mjedisin dhe ndërgjegjësimin e publikut për domosdoshmërinë e mbrojtjes së tij.
Metodologjia e Kërkimit
Pjesmarrësit
Kampioni i kërkimit përbëhet nga 250 qytetarë të njësisë bashkiake Kamëz. Qytetarët janë përzgjedhur në mënyrë të rastësishme pa marrë marasysh moshën, gjininë dhe arsimimin e tyre. 25 qytetarë janë intervistuar per çështjet e pushtetit lokal dhe taksave mjedisore.
Instrumentat e përdorura
Pyetsori i përdorur në studim kishin si qëllim të nxirte në pah opinionet e 250 qytetarëve dhe konceptet e tyre në lidhje me mbrojtjen mjedisore dhe planifikimin urban. Pyetsori kishte në fokus dy çeshtje 1) mendimet e tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe 2) planifikimin urban si faktorë që ndikon drejt për së drjeti në jetën dhe shëndetin e tyre.
Pyetsori përbëhet nga një sere pyetjesh që nxjerrin në dukje mendimet e tyre dhe rolin e shoqërisë, pushtetin vendor në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Rezultatet dhe Diskutimi
Për të patur një komunitetet të shëndetshëm, të sigurtë më të qëndrueshëm dhe jetësor me një nivel më të lartë të cilësisë së jetës, 92% e qytetarëve mendojne se duhet të kihen parasysh problemet e poshtë shënuara:
1. 85 % e qytetarëve e konsiderojnë punën e pushtetit vendor si shumë të rendësishme në mbrojtjen mjedisore;
2. 87 % e tre mendojnë se zbatimi i legjislacionit mjedisor do të ndokojë dukshëm në mbrojtjen mjedisore;
3. 95 % e qytetarëve mendojnë se investimet dhe planifikimi urban janë faktorë të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e ciësisë së jetës tyre;
4. 88 % e tyre mendojnë se ndërgjegjësimi i qytetarëve për probemet mjedisore dhe organizimi i fushatave sensibilizuese aktive janë elementë që ndikojnë në shkallën e uljes së ndotjes mjedisore.
5. 91 % e tyre e konsiderojnë menaxhimin e ujit të pijshëm, ujrave të zeza dhe mbetjeve urbane si problem që kërkon një zgjidhje të menjëherëshme;
6. 95 % e tyre e konsiderojnë problemet e mjedisit si të integruara me fushat e tjera.

Nr. EMERTIMI SASIA - %
1 RENDESIA E PUSHTETIT VENDOR 85
2 RENDESIA E ZBATIMIT TE LEGJISLACIONIT 87
3 INVESTIMET SIPAS NJE PLANIFIKIMI 95
4 ORGANIZIMI I FUSHATAVE SENSIBILIZUESE 88
5 MENAXHIMI I INFRASTRUKTURES NENTOKESORE 91
6 LIDHJA E PROBLEMEVE MJEDISORE ME FUSHAT E TJERA 95



Legjislacioni dhe Zbatimi

Në vendin tonë janë aprovuar dhe adoptuar shumë ligje dhe shumë vendime suplementare në fushën e mbrojtjes mjedisore. Ditët e fundit është hartuar dhe po diskutohet një draft ligj i ri për mjedisin gjë që tregon shkallën e rëndësisë që zë mjedisi në politikën shqiptare. Ekziston një numër i madh ligjesh që mbulojnë dhe mbrojnë të gjitha fushat e mjedisit. Mund të përmendim: Ligjin për Mbrojtjen e Faunës së Egër dhe Gjuetisë nr. 7875 të datës 23.11.1994, Ligji për Burimet e Ujit nr. 8093 i datës 21 mars 1996 etj. Ndër aktet më të rëndësishme mbi mjedisin përfshihen ato mbi mbrojtjen e tokës (2002), mbi ndotjen e ajrit (2002), mbi zonat e mbrojtura (2002), mbi ndotjen e ujrave detare (2002), mbi vlerësimin e impaktit mbi mjedisin (2003), mbi mbetjet e ngurta (2003), trajtimin e ujrave të ndotura (2003), dhe liqenet ndërkufitarë (2003). Për shkeljet dhe kundravajtjet ligjore në fushën e mjedisit e drejta shqiptare parashikon sanksione siç është Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit (Ligji nr. 8934, i datës 5 shtator 2002, i cili parashikon gjoba dhe masa administrative nga ana e inspektoratit të mjedisit në bashkëpunim me policinë e shtetit.
Ligji Nr.10119, datë 23.4.2009 “Për Planifikimin e Territorit”, i cili ka si qëllim të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore; të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit në nivel kombëtar e vendor, në bazë të balancimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe interesave publikë e private konsiderohet nga 95 % e të intervistuarave si shumë i rendësishëm. Përforcimin dhe zbatimin e ligjit ata e konsiderojnë si mjet që ndikon drejtpersëdrejti në mbrojtjen e burimeve natyrore, si: toka, toka bujqësore në veçanti, ajri, uji, pyjet, flora, fauna, peisazhet; krijimi dhe garantimi e territoreve të ndërtueshme si shumë të rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit por edhe në rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit publik. 80 % e qytetarëve mendojnë se panifikimi urban në mënyrë të harmonizuar e funksional i jep përparësi mundësisë së banimit për të gjitha shtresat ekonomike e sociale dhe krijimit të infrastrukturës fizike të përshtatshme për një jetë më cilësore. 100 % e tyre mendojnë se nxitja e investimeve në ushtrimin e veprimtarive ekonomike, sociale e kulturore, lehtëson shërbimet publike, si transportin, komunikimin dhe infrastrukturën.
Garantimi i burimeve të furnizimit të mjaftueshëm dhe veçanërisht atij jetësor; garantimi i kushteve të sigurisë së jetës dhe të shëndetit publik, rendit publik dhe sigurisë kombëtare; nxitja e zhvillimit të balancuar rajonal për të siguruar shpërndarje të qëndrueshme të popullsisë në vend, në bazë të burimeve; nxit veprimet e duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe ruajtjen e shumllojshmërisë biologjike dhe të peizazhit. Kjo bën të mundur të drejtën e përdorimit e të zhvillimit të pronës, në përputhje me instrumentet planifikuese dhe ligjet mjedisore duke krijuar kushte të përshtatshme për zbatimin e të drejtës duke krijuar shanse të barabarta për banim. Veprimtaritë ekonomike e sociale për të gjitha kategoritë sociale gëzojnë të drejtat e pronësisë; duke u siguruar autoriteteve planifikuese kombëtare e vendore mundësinë e hartimit dhe atë të përditësimit rregullisht të gjitha instrumentave të planifikimit në bazë të kërkesave të tregut dhe nevojave sociale. Ligji parashikon gjithashtu që autoritetet e planifikimit duhet të bashkërendojnë të gjitha veprimtaritë, për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të territorit i cili duhet të garantojë, në bazë të ligjit për ndërtimin, zbatimin e rregullave të sigurisë së ndërtimeve dhe të punimeve të ndërtimit për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Kjo padyshim nxit dhe mbështet zhvillimin e qëndrueshëm territorial me qëllim mundësimin dhe përdorimin racional të tokës dhe burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për banim, aktivitet ekonomik dhe social në gjithë territorin e Republikës. Objekti i këtij ligji përcakton gjithashtu parimet bazë, përgjegjësitë, rregullat dhe procedurat për planifikimin e territorit.
Ligji për Taksat Qendrore Nr. 8977, i datës 12 dhjetor 2002, parashikohen tre taksa të veçanta për mbrojtjen e mjedisit në lidhje me ndotjen: 1) një taksë importi mbi makinat për të minimizuar importimin e makinave të vjetra të cilat ndotin mjedisin, 2) një taksë më të lartë për përdorimin e naftës, dhe 3) një taksë për kontenierët plastikë të pariciklueshëm. Zgjidhja alternative konsiderohet si shumë e rëndësishme, si të tilla janë reduktimi i shfrytëzimit të burimeve, p.sh. përdorimi i ujit, pakësimi i mbetjeve dhe riciklimi i tyre, rritja e efektivitetit të përdorimit të energjisë, minimizimi i të metave në sisteme, zvogëlimi i rrjedhjeve në rrjetin e shpërndarjes së ujit, përmirësimi i sistemit të mirëmbajtjes, dhe përmirësimi i teknologjisë në prodhim. Kontributet e qytetarëve në formën e taksës mjedisore, të para në një këndvështrim më të gjërë të zhvillimit ekonomik dhe social për 90 % e qytetarëve përbëjnë një barrë tjetër mbi ta në lidhje me nivelin e varfërisë dhe aspekteve sociale. 10 % e tyre e konsiderojnë këtë taksë si elemet që ndihmon direkt në mbrojtjen e mjedisit dhe në ndërgjegjësimin e publikut.

Urbanizimi dhe Shendeti publik

Në shekullin e 21, shëndeti do të varet në një shkallë të konsiderueshme nga mënyra si njerëzit do të jenë të aftë të krijojnë mjedise – nga shtëpitë private në qytete të mëdha - të cilat përmirësojnë jo vetëm gjëndjen fizike dhe mendore të tyre por edhe mirëqënien sociale. Sipas Institutit Shqiptar mbi Shëndetin Publik dhe Mjedisin, problemet mjedisore në vendin tonë mbeten të mprehta. Zonat urbane kanë nivele të larta të ndotjes së ajrit, niveli i plehrave i tejkalon dukshëm nivelet e ndotjes së ambientit, të cilat shkaktohen nga zhvillimi i pakontrolluar dhe ndërtimet.
Monitorimet në zona të caktuara të Tiranës japin shifra, të cilat i kalojnë disa herë treguesit e normave të lejuara të BE-së, të përcaktuara gati 30 vjet më pare, Tirana llogaritet çdo vit të mbulohet deri në 50 mijë ton nga pluhuri. Sipas të dhënave të OBSH -se në kryqëzime, por dhe në qendër të kryeqytetit, ndotja llogaritet të jetë 500 mikrogram për metër kub, ku 70-80 % e këtij pluhuri të respirueshëm përbëhet nga grimca diesel dhe puhuri, të cilat janë kancerogjene për shëndetin e qytetarëve. Vlera e pluhurit total LGS në zona të caktuara të Tiranës luhatet nga 151 µgm/3 deri në 965 µgm/3, ku vlerat e lejuara sipas normave të BE-së janë deri në 80 µgm/3.
Ndotja nga emetimet e hidrokarbureve dhe erozioni i tokës është ende i madh, një ndër faktorët kryesor qe kanë ndikuar në reduktimin e sipërfaqeve të gjelbërta në kryeqytet janë ndërtimet e shumta, të cilat kanë zënë mjaft sipërfaqe si lulishtja prapa ndërteses se PS-së, lulishtja pranë stacionit të trenit, lulishtja pranë ish-ekspozitës etj.
85% e të intervistuarve mendojnë se shoqëria civile në Shqipëri, e cila merret me problemet e mjedisit po rritet si në numër dhe në cilësi por sipas tyre ato duhet të organizojnë më shumë aktivitete informuese për ndikimin e ndotjes në shëndetin publik të ilustruara me shifra dhe fakte sepse impakti i tyre bëhet më i madh.
Planifikimi Urban dhe Ndotjet Mjedisore
Teritori i Shqipërisë është 28,000 km katror me një sipërfaqe prej 3, 087,159 banorë , me një dendësi prej 113, 3 banorë për kilometër katrorë. Shkalla e rritjes natyrore të popullsisë është 0,97 % në vit. Popullsia është e vendosur në zonën bregdetare e cila mbulon 25% të territorit. Meqënëse mbi 60% e vendit është zonë malore, në njëzet vitet e fundit ka patur lëvizje të mëdha të popullsisë.
Që nga viti 1991, popullsia urbane e Shqipërisë u rrit me ritme të shpejta. Aktualisht,
të paktën 55 % e popullsisë jeton në qytete, në një kohë që në fund të viteve 80-të kjo shifër ishte vetëm 35%. Njerëzit që migruan nga zonat rurale drejt qyteteve ose nga qytetet e vogla drejt atyre të mëdha kanë treguar mungesën e strategjisë për të paraprirë fenomenin. Tirana qyteti më i madh dhe kryeqyteti i vendit, kishte të dhëna social- ekonomikë 2 herë më të larta se mesatarja e vendit dhe 10 herë më të larta se rajoni malor veri lindor. Në këto kushte, këto rajone janë bërë gjatë këtyre dy dekadave të fundit mjaft atraktive për popullsitë e zonave të izoluara dhe periferike të vendit, ku shanset për një jetë më të mirë dhe të ardhmen e fëmijëve janë në mos të pamundura mjaft të limituara. 62 % e të intervistuarve rezulton se janë banorë të ardhur në Tiranë nga zonat rurale. Të sapo ardhurit u sistemohen kryesisht në banesa të improvizuara të ndërtuara në mënyrë informale dhe ilegale, duke jetuar në kushte me të këqia se ato të vendit të tyre të origjinës. Zhvillimi i këtyre zonave informale që u aprovua nga qeveria dhe morën trajtë ligjore dhe duhen trajtuar dhe parë si probleme komplekse dhe nuk duhet të konsiderohen të ndara.
Para se të fillojë puna për projektimin e një zone urbane sipas standarateve të saj duhet të njihet dhe të analizohet struktura fizike e komunitetit. Nën shtresën e qytetit duhet rizbuluar gjeologjia, hidrografia, metereologjia dhe gjeografia. Në vlerësimin e kërkesave për hapësira për destinacione të ndryshme toke standartet e zhvillimit kërkojnë të kihen parasysh densiteti për frymë, karakteri i mjedisit fizik dhe faktori shtesë: masa e ndërtimeve dhe hapësira e tokës që do të zihet. Por fatkeqësisht keto elemente të standarteve të panifikimit u shoqëruan me probleme që për nga shkalla e demit në mjedis konsiderohen si mjaft kritike. Raporti konstant i tre elementeve themelore të natyrës: toka, uji dhe ajri, është i domosdoshëm për të mbështetur jetën, 100 % e të intervistuarve e mbështesin dhe e klasifikojmë tokën në të mirë ose të keqe në bazë të aftësisë që ajo ka për të siguruar jetesën e tyre. Toka nuk lëviz, ajri i saj nuk është i njëjtë me ajrin e kondicionuar, uji nga burimet e maleve të larta nuk mbërrin kudo. Toka mund të taracohet, të drenazhohet, të plehërohet dhe uji të shtojë prodhimin e tij, por nuk duhet të harrojmë që vetë toka duhet të ketë kapacitetin bazë për t’iu përgjigjur manipulimeve të njeriut.
Pavarësisht nga aspiratat e larta që njerëzit mund të kenë për të ardhmen e qytetit të tyre, procesi i planifikimit duhet të fillojë me qytetin aktual, ashtu siç ai është në realitet theksojnë urbanistët. Për të mundësuar një Qeverisje të Mirë Urbane 94% e të intervistuarve mendojnë se duhet që të njihet mirë problemi, pastaj përballja me të, prandaj është e domosdoshme të njihet më pare se cili është shfrytëzimi aktual i tokës dhe pasojat e tij. Për të realizuar këtë duhet të mbahet mirë inventari i tokës në regjistrin e përgjithshëm. Nëpërmjet këtij inventari njihen më mirë karakteristikat fizike të qytetit, përcaktohen ato tipare që garantojnë realizimin e ndryshimit, ruajtjen e tyre në planin e përgjithshëm, dhe mënyrën e shfrytëzimit të tokës në të ardhmen. Digitalizimi i këtyre proceseve konsidrohet si një revolucion në shërbim të qytetarëve.
97% e të intervistuarve mendojnë se problemet e erozionit shkaktohen nga çpyllëzimi, përmbytjet dhe tharjet e rezervuareve, të shoqëruara dhe me shfrytëzimin pa kriter të lumenjve dhe zënjen në mënyrë arbitrare të tokës me ndërtime pa leje. Kjo përqindje e lartë tregon se qytetari është i vetëdijshëm për pasojat e veprimtarisë së tij, prandaj ndërhyrja e pushteti vendor me politika të qarta ka një bazë reale e solide për t`u zbatuar me sukses. Raportet e ndërkombëtarëve theksojnë se këto ndryshime kanë sjellë humbjen e habitateve dhe reduktimin e biodiversitetit.
Nga një studim del se sot Tirana nga 9m2 sipërfaqe e gjelbër për banore që ka pasur para vitit 1990, ajo është zvogeluar në masën 2,8m2/banorë, e dhënë që duhet të alarmonte organet manaxhuese. Dihet se norma minimale e sanksionuar me ligj në rregulloren urbanistike për përpilimin e planeve rregulluese është pranuar 7m2/për banor, ndërkohë për qytetet evropiane, që njihen për parametrat normalë mjedisor, kjo sipërfaqe është mbi 15m2 për banor. Për të mësuar të vërtetën e situatës aktuale, duhet bërë një klasifikim real i kësaj gjendjeje, duke zbërthyer atë në komponentët përbërës të hapësirave të gjelberuara si: lulishte m2/banorë, parqe m2/banorë, parqe periferike m 2/banorë, gjelbërime rrugore m 2/banore, gjelbërime ujore m 2/banorë, gjelbërime me përdorim,të kufizuar m2/banorë, gjelbërime me vlera natyrore m2/banorë.
Duke bërë këtë verifikim, dhe duke i bashkengjitur analizen SWOT në të cilën analizohen mirë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, anët pozitive që bartin me vete si fuqi dhe mundësi dhe duke evidentuar anët negative dhe dobësite të cilat duhen krahasuar me normat e vendosura të Bashkimit Evropian, mund të planifikohen dhe zbatohen ato politika që rrisin gjelbërimin e vendit në planifikimin hapsinor drejt parametrave të duhura. Shoqata “Mjedisi, Peizazhe Urbane e Parqe Kombëtare” ka vërejtur se për hapësirat e gjelbërta kemi një deficit në shumëllojshmëri kulturash, jo pa ndikim mbi mjedisin dhe si pasojë ka sjellë prishjen e ekuilibrave të ekosistemeve urbane.
Interesat e zhvillimeve urbane dhe hapësirave të gjelbëruara nuk mund të funksionojnë të veçuar. Nevoja për të pasur zgjidhje bashkëkohore do të kërkonte grupe profesionistësh gjithëpërfshirës (urbanistë, jurist, arkitektë, peisazhistë, ekologë, sociologë, gjeologe, inxhinjere tokash bujqësore, inxhinjere pyjesh, agronome etj.), sepse vetëm kështu do të mund të hartohen plane urbane alternative bashkëkohore dhe do të mundësohej një zhvimill urban me pamje evropiane.
Statistikat e pasqyruara në literaturën e vendeve te zhllivuara , flasin për raportin në përqindje mes zonifikimeve urbane të cilat ndeshen në pjesën më të madhe të zonave urbane:
Perberesit maximal dhe minimal te nje zone urbane sipas literatures
Nr. Përbërësit e një zone urbane % që zë në një zonë urbane
1 Zone Rezidenciale 35 deri 39 %
2 Zone Tregtare 4.8 deri 5 %
3 Zone Industriale 10 deri 11 %
4 Rrugë 20 deri 26 %
5 Zone e gjelber, shkollë, parqe, etj. 10 deri 18 %
Sipas studimit në fushën e mbrojtjes së mjedisit të financuar nga KE-ja katër janë barrierat, të cilat duhen kapërcyer për të shpejtuar procesin e zhvillimit dhe të implementimit të projekteve të infrastrukturës së mbrojtjes së mjedisit:


1. mungesa e burime vendase të financimit;
2. përgatitja jo efiçiente e projekteve;
3. kushtet e pafavorshme për marrjen e huave;
4. niveli i ulët i përfshirjes së sektorit privat.

Lind pyetja: Si do të trajtohen këto zona me te gjitha problemet komplekse qe ato bartin me vete? Cili është roli i specialistëve urbanistë për integrimin e këtyre zonave? Cili duhet të jetë ndikimi i tyre në zgjidhjen e problemeve të shumta e të mprehta urbane, mjedisore, sociale, ekonomike, ekologjike, pronësore etj.? Si do të trajtohen këto zona për problemet që ato kanë dhe vazhdojnë te kene? A do ti plotësojnë standartet minimale të tyre si dhe raportet me zonat fqinje, që ndoshta mund ti kenë me të mprehta këto probleme. Masat parandaluese të mara nga bashkitë konsiderohen si një element shumë i rëndësishëm për 90 % e të intervistuarve.
Në librin “Toka në Barazpeshë”, në kapitullin “Anijet në Shkretëtirë” (faqe 34), Al Gore shkruan: “Problemi nuk është ndikimi ynë mbi mjedisin por raporti ynë me mjedisin. Si rezultat i kësaj, çdo zgjidhje e problemit do të kërkojë një vlerësim të kujdesshëm të këtij raporti dhe të lidhjeve komplekse mes faktorëve brenda qytetërimit dhe midis qytetërimeve; duke i dhënë rëndësinë e duhur edhe lidhjeve me komponentët kryesorë natyrorë të sistemit ekologjik të tokës”.

Rëndësia e Projekteve të Përbashkëta Rajonale

Edhe në këndvështrimin jashtë kufijve tonë shtetëror është bërë shumë për një bashkëveprim për të mbrojtur mjedisin e përbashkët. Vendi ynë është anëtar i mjaft iniciativave që janë ndërmarrë në Ballkan, ku përfshihen Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Shqipëria gjithashtu merr pjesë në Iniciativën e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Iniciativën e Adriatikut dhe Jonit dhe në Forumin Ekonomik të Detit të Zi. Ajo merr pjesë aktivisht në Programin Rajonal dhe Rindërtimin e Mjedisit për Evropën Juglindore.
Si shembull pozitiv vlen të përmendet Parku PRESPA që u mbajt në ditën Ndërkombëtare të Ligatinave, ky park festoi dhjetë vjetorin e bashkëpunimit intensiv të aktorëve vendore për mbrojtjen e përbashkët të mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Prespes. Prespa, përbën zonën e parë të mbrojtur ndërkufitare në Ballkan, themeluar me 2 Shkurt 2000, përmes Deklaratës se përbashkët të Kryeministrave të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, duke synuar krijimin e një modeli bashkëpunimi për ruajtjen e mjedisit në Evropë. Ndër arritjet e këtij fillim shekullit duhet të theksojmë se: marrëveshja për përgatitjen e “Planit Strategjik të Veprimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Parkut Prespa” ne vitin 2002; bashkëpunimin për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe projektin tripalesh te vitit 2007 për menaxhimin e integruar të ekosistemeve me një buxhet të përgjithshëm $13, 5 milion të bashkë-financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), agjensi të ndryshme zhvillimi nga vende evropiane si dhe qeveri të vendeve fqinje që kufizojnë liqenin. Por përqindja e qytetarëve që njohin këto nisma është shumë e ulët për shkak të mungesës së informacionit dhe shpërndarjes së tij.
Vitet e fundit autoritetet shqiptare malazeze dhe kosovare po tregojnë interes dhe po hartojnë plane të përbashkëta për mbrojtjen dhe përdorimin efikas të burimeve natyrore që ndajnë të tre vendet si Liqeni i Shkodrës, Lumi i Bunës dhe Bjeshkët e Namuna). Parashikohet që të realizohet brënda vitit mbështetja për ruajtjen e një parku ndërkombëtar trepalesh me një siperfaqe të konsiderueshme të Alpeve të Shqiperise sipas një projekti të përbashket të qeverisë shqiptare me qeveritë e dy vendeve fqinje, Malin e Zi dhe Kosovën. "Rreth 3 % e sipërfaqes së vendit, ose 80-100 mijë hektarë në Alpet tona pritet që të jenë pjesë e këtij parku" . konfirmoi drejtori i Politikave te Mbrojtjes se Natyres në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, duke theksuar se me iniciative të Ministrit të Mjedisit, janë sensibilizuar qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi për t'i dhënë një status të përbashket këtij rajoni ndërshteteror, për të qënë një park ndërkombetar trepalesh. Meqënëse projekti është në fazën e studimeve (punës në terren) përsa i përket vlerësimit të gjendjes së biodiversitetit, social-ekonomike, etj kërkohet një pjesmarrje më e gjërë e aktorëve. Identifikimi tashme se cfarë mund të perfshihet në këtë park ndërkombëtar, kërkon një koordinim të punëve të gjithë aktorëve për të filluar dhe për të zbatuar marrëveshjen trepalëshe. Pervec Parkut te Valbones ne Tropoje, MMPAU parashikon te shpalle si park unik kombetar dhe me pas si pjese te parkut rajonal ndershteteror pjesën e Bjeshkeve te Namuna, pjesen e Kelmendit (qarku i Shkodres), së bashku me pjesën e Kosoves dhe Malit të Zi, duke vazhduar në pjesen e Gjakoves deri në kufi me Pejën dhe në pjesën e Malit te Zi, që zbret më tej në Tuz. Bjeshket e Namuna janë valëzim kreshtash malore ne Alpet shqiptare, me lartesi 2400-2500 metra, me gjatesi 12 kilometra dhe me gjeresi 5-7 kilometra. Në këto bjeshkë buron Drini i Bardhë dhe disa degë të tjera lumenjsh. "Ekziston vullneti, janë zhvilluar takime, dhe përcaktuar si objektiv që në ketë vit kjo zonë të ketë statusin ndërkombëtar". Në ketë projekt përfshihen elemente të turizmit, ekoturizmit, aktiviteti tradicional i banoreve të zonës, nderkohë që pjesë e tij do të jenë dhe përpjekjet për përmirësimin e infrastruktures. (Raport UNDP) . Për ketë projekt ka një mbeshtetje nga UNEP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin), nga ku kemi siguruar të bejmë një survejim paraprak të biodiversitetit dhe kushteve social ekonomike të zonës.
Projektet e përbashkëta shërbejnë jo vetëm për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore por ato shërbejnë edhe për integrimin e zonave ndërkufitare, shuarjen e barrierave etnike, rritjen e shkallës së sensibilizimit publik për mbrojtjen e mjedisit në zonat e përfshira në projekt, duke ndikuar kështu direkt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në harmoninë ndërkufitare.

Konkluzione
Problemet e ndotjeve urbane mund të parandalohen nëse ligjet zbatohen me rigorozitet dhe pushteti vendor harton projekte rehabilituese për mejdisin. Urbanistët mund të luajnë një rol me rëndësi në mbrojtjen mjedisore nëse hartojnë projekte alternative sipas standarteve bashkëkohore të planifikimit hapsinor. Pjesmarrja e publikut në vendimarrje jo vetëm rrit shkallën e ndërgjegjësimit të tij por edhe ul shkallën e korrupsionit. Projektet rajonale risin jo vetëm shkallën e mbrojtjes mjedisore por ulin dhe konfliktet ndër-etnike. Qytetarët në përgjithësi janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në mbrojtjen e mjedisit gjë që tregon se e ardhmja është mjaft premtuese dhe të gjitha problemet pa dyshim do të jenë të suksesshme.

Referencat

Al Gore, Toka në Barazpeshë Ekologjia dhe Fryma Njerëzore. 2008

Targeting the Environmental Investment Challenge in South Eastern Europe, 2005

Drejtoria e Aluiznit Dega – Tiranë

Mjedisi Sot , Nr. 2278, dt. 01.02.2008.

Eisner und Associates, 1939 – 85

URBAN PATTERN, kap. 23, “Land Use Element”,

ESCAP (1991), The State of the Environment. Bangkok: UN Economic and Social Commission for Asia-Pacific.

Fuqizimin dhe Pjesmarrjen e Publikut për një Qeverisje të Hapur në Shqipëri » Shkurt 2003.
IFEI (1992), Proceedings of the Environmental Information Forum. Montreal, Canada: International Forum on Environmental Information. May 21-24, 1991.
Linden, Eugene (1993), "Megacities" TIME International, January 11, 1993.
Megacities 2000 (1996). Megacities Codex. (http://www.megacities.nl/codex.html)
Nick Devas and Carole Rakodi (1993), "The Urban Challenge," in Nick Devas and Carole Rakodi, (eds). Managing Fast Growing Cities: New Approaches to Urban Planning and Management in the Developing World, New York: Longman, Essex, U.K., and John Wiley & Sons.
Nishioka, Shuzo and Yuichi Moriguchi (1992) Institutional Arrangement and Environmental Information Needs. Tokyo: Center for Global Environment Research. National Institute of Environmental Studies
UN-DPCSD (1996). Report of the Workshop on Information for Sustainable Development and Earthwatch. Geneva: United Nations Department for Policy Coordination and Sustainable Development.
UN Population Division (1995) World Urbanization Prospects: The 1994 Revision New York: The United Nations
WRI (1996), "World Resources: A Guide to the Global Environment. Special Issue on the Urban Environment" World Resources Institute - (http://www.wri.org/wri/ wr-96-97/ud_txt1.html)
Ligji, Nr. 10 119, datë 23.4.2009 “Për Planifikimin e Territorit”
Strategjia ndër-sektoriale shqipëtare e zhvillimit rural,(skzhr) 2007-2013përgatitur nga ministria e bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (MBUMK) Tirane,october,2007
Kosova: www.setimes.com

1 comment:

  1. ju lumtë.
    Mendoj se keni nis një qështje sa praktike ,aq edhe pragmatike ,dhe një dimension i cili pa shum teori ofron ndërlidhjen qytetar-sistem(qeveri,ligje ,rregulla standarde etj).
    Ju përgëzoj

    ReplyDelete